Haradinaj për mosftesen e Kosovës në Samitin në ShBA: Aftësitë manipuluese të Kurtit në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme

Mosftesa e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin që po organizon ShBA ka ngjallur reagimin e shumë figurave politike në Kosovë, ndër të tjerash, edhe të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Haradinaj, përmes Facebook-ut, ka thënë se ky mund të jetë një alarm i degradimit të marrëdhënieve Kosovë-ShBA.
Ai gjithashtu ka shtuar se manipulimet e bëra nga kryeministri aktual i vendit, Albin Kurti, në përshkallëzimin e raporteve me ShBA-në, janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund.
Ai konsideron Shtetet e Bashkuara si aleatin më të fortë të Kosovës, andaj vlerëson se synimi i kryeministrit Kurti duhet të fokusohet në riparimin e raporteve.
Ky është shkrimi i plotë i ish-kryeministrit Haradinaj:
Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit.
Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush.
Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur.
Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon.
Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik.
Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë.