75 Mall Live Search
23:26 / E Premte, 05 Nëntor 2021 / MSH

Greta Thunberg e quan samitin COP26 “një dështim”

Greta Thunberg ka thënë në një tubim masiv në Glasgow se samiti i klimës COP26 ka qenë një “dështim”.

Aktivistja suedeze ishte bashkuar me mijëra të rinj, përfshirë nxënës grevistë të shkollave, për një marshim nëpër qytet, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

Ajo iu drejtua turmës kur mbërriti në sheshin George, duke thënë se nevojiten shkurtime të menjëhershme dhe drastike të emetimeve.

Marshimi u organizua nga “Të Premtet për Skocinë e Ardhshme”, një grup i themeluar nga të rinj të frymëzuar nga Thunberg.

Tubimi ishte një nga më të mëdhatë, nga një seri demonstratash që po mbahen gjatë gjithë samitit.

Thunberg tha se nuk është sekret që COP26 është një dështim.

“Duhet të jetë e qartë se ne nuk mund ta zgjidhim një krizë me të njëjtat metoda që na futën në të në radhë të parë”, ka thënë Thunberg.

“Njerëzit në pushtet mund të vazhdojnë të jetojnë në flluskën e tyre të mbushur me fantazitë e tyre, si rritja e përjetshme në një planet të kufizuar dhe zgjidhjet teknologjike që do të shfaqen befas nga askund dhe do t’i fshijnë të gjitha këto kriza”, shtoi Thunberg.

Ajo e përshkroi samitin e OKB-së për ndryshimet klimatike si një “festim dy-javor të biznesit si zakonisht dhe blah, bla, blah” për të ruajtur biznesin dhe të krijojnë boshllëqe për të përfituar për veten.

Aktivistë nga disa vende të tjera gjithashtu mbajtën fjalime për mënyrën sesi ndryshimi i klimës po ndikon tashmë në atdheun e tyre.

Samiti COP26 do të mbahet deri më 12 nëntor.