75 Mall Live Search
15:11 / E Diele, 07 Nëntor 2021 / LB

Ferizaj/ 30 ditë arrest shtëpiak për femrën që theri të dashurin e saj për shkak të xhelozisë

Gjykata Themelore e Ferizajt i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak të pandehures E.H.

Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Ngjarja e cila ndodhi më 5 nëntor sipas policisë ka ndodhur për motive xhelozie.

“Ferizaj 05.11.2021-19:40. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta për shkaqe xhelozie e ka therur me një mjet të mprehtë-thikë viktimën mashkull kosovar të dashurin e saj. Viktima dhe e dyshuara kanë pranuar tretman mjekësor pasi që edhe e dyshuara kishte lëndime trupore dhe ishte e shqetësuar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara dërgohet në mbajtje”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore të Ferizajt dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehura më 5 nëntor 2021, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka tentuar që ta provoj nga jeta të dëmtuarin P.A. në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje mes tyre, nxjerr një thikë, të cilën paraprakisht e kishte marr me vete nga shtëpia e saj dhe me të njëjtën e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e abdomenit, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka i njëjti më pas detyrohet të kërkojë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.