ShBA pas vizitës së kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Është koha të implementohen të gjitha vendimet e Kushtetueses

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka – Nimani, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Caka atje është takuar dje me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të ShBA-së dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz, me të cilin diskutuan rreth gjyqësisë kushtetuese në Kosovë.
Për këtë takim ka komentuar edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të Ambasadës në “Twitter”, thuhet se është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në të.
“Institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj. Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese ka falendëruar Shtetet e Bashkuara për ndihmën e vazhdueshme në zhvillimin institucional të Kosovës.
Përmes një njoftimi për media nga kjo Gjykatë thuhet se kryetarja Caka ka njoftuar Swartz me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese.
Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetarja Caka – Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.
Ajo madje mbajti prezantim edhe në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Të drejtat e patjetërsueshme dhe traditat e konstitucionalizmit”, organizuar nga Instituti Kellog për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame