75 Mall Live Search
17:24 / E Enjte, 25 Nëntor 2021 / LB

LDK reagon pas vendimit të Gjykatës Supreme për Dragashin

Gjykata Supreme ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që brenda kornizës Ligjore në fuqi, të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale (2021) për kryetar të Komunës së Dragashit.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një komunikatë, dërguar medieve, thuhet se mërgata do ta rikonfirmojnë mbështetjen në raundin e ri ndaj kandidatit të LDK-së, Bexhet Xheladini, transmeton Indeksonline.

Komunikata e plotë e LDK-së:

Mërgata do ta rikonfirmojë mbështetjen në raundin e ri ndaj Dr. Bexhet Xheladini

Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme dhe aprovimin e ankesës së kandidatit tonë Dr. Bexhet Xheladini dhe të LDK-së ndaj vendimit skandaloz të PZAP-së për të deformuar vullnetin qytetar e për të vendosur fatin e zgjedhjeve lokale në tavolinë. Precedente të tilla, s’mund të lejohen në demokraci. Prandaj vendimi i Gjykatës Supreme mbronë sistemin zgjedhor, votën e lirë dhe vendimin e qytetarëve tanë pa dallim.

Mërgata jonë, siç ka vendosur qartë e bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor, e në raundin e dytë me 14 nëntor, do të vendosë dhe në raundin e ri, të përsëritjeve të zgjedhjeve për votuesit me postë.

I ftojmë qytetarët tanë në mërgatë të shprehin lirshëm dhe sërish bindshëm si në dy raundet paraprake, mbështetjen për kandidatin tonë, kryetarin e ri, Dr. Bexhet Xheladini për komunën e Dragashit. Vullneti dhe zëri i tyre nuk mund të shuhet nga askush.