Konjufca pret në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abott

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga Ilir Kërçeli, shef i Kabinetit, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott, me të cilin bisedoi, ndër të tjera, për aktualitetin politik dhe bashkëpunimin të ndërsjellë.
Në këtë kuadër u vlerësuan të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe u theksua rëndësia e fuqizimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, posaçërisht në këmbimin e praktikave ndërparlamentare.
Kryetari Glauk Konjufca, edhe me këtë rast, falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës, e në veçanti Kuvendit dhe trupave të tij përcjellëse. Kryetari i Kuvendit po ashtu mirëpriti vendimin e Qeverisë britanike për emërimin e Sir Stuart Pech si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Ambasadori Abott rikonfirmoi partneritetin mes dy vendeve tona dhe vazhdimin e përkrahjes së gjithanshme ndaj Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në proceset integruese.