Çka ndodhi pasi Hyseni publikoi dokumentin e marrëveshjes mbi parimet e qeverisjes në Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dje ka publikuar dokumentin e marrëveshjes mbi parimet e qeverisjes. Pas kësaj, ai thotë se është takuar zyrtarisht me përfaqësuesit e LDK, PDK, AAK, AKR dhe Lëvizjen VATRA.
Hyseni bën me dije se me të gjithë janë dakorduar që të angazhohen për mirëqenie, siguri dhe barazi për të gjithë, raporton Indeksonline.
Tutje ai thotë se do të vazhdojnë takimet tjera deri para datës 5 janar 2022, dita kur do të mbahet seanca e ardhshme e Kuvendit Komunal.
Njoftimi i plotë:
Pas publikimit të dokumentit të marrëveshjes mbi parimet e qeverisjes, si dhe ftesës së dërguar subjekteve politike: LDK-së, PDK-së, AAK-së, AKR-së, KDTP-së dhe Lëvizjes VATRA, sot u takova zyrtarisht me përfaqësuesit e këtyre subjekteve politike. Me z.Abdyl Aliu dhe z.Bardhyl Syla nga LDK, z.Riad Rashiti, znj.Leonora Morina-Bunjaku dhe z.Bajram Isufi nga PDK,z.Bajram Hasani, znj.Ardita Ukshini dhe z.Nazim Gagica nga AAK, z.Arianit Ibrahimi nga AKR si dhe z.Kushtrim Kadriu nga Lëvizja Vatra.
Sot, është koha të reflektojmë për të ardhmen e qytetit të Gjilanit, për banorët e tij, si dhe është momenti i gjithsecilit nga ne, si përfaqësues politik të mbajmë përgjegjësi. Parimisht u dakorduam që së bashku, pa dallime partiake, etnie e fetare, do të duhet të angazhohemi për mirëqenie, siguri dhe barazi për të gjithë. Pikërisht për këtë, ne do të vazhdojmë takimet tona të tjera, deri para datës 5 janar 2022, dita kur do të mbahet seanca e ardhshme e Kuvendit Komunal.