75 Mall Live Search
10:15 / E Hënë, 27 Dhjetor 2021 / MSH

Shpëtohen qindra emigrantë në Mesdhe

“Sea Watch 3”, anija gjermane e shpëtimit që lëviz në Mesdhe, brenda tre ditëve ka shpëtuar disa qindra emigrantë nga rreziku në det të hapur. Por sipas IOM, 1900 lanë jetën këtë vit në Detin Mesdhe.

Një anije shpëtimi e organizatës private Sea-Watch ka shpëtuar në Detin Mesdhe edhe rreth 100 emigrantë të tjerë, kur një gomone ishte në rrezik të fundosej. Ky ka qenë misioni i pestë i shpëtimit brenda tre ditëve të fundit, bënë të ditur organizatorët gjermanë të aksionit të shpëtimit, shkruan dw.

Në anijën Sea-Watch 3 së bashku me të shpëtuarit e fundit gjenden tani 446 emigrantë, mes tyre edhe një foshnjë dy javëshe dhe një shtatzënë. Të gjithë të shpëtuarit kanë marrë kujdes shëndetësor, thuhet nga organizatorët.

Se në cilin port do të zbarkojnë emigrantët nuk dihet ende. Në të shkuarën anijet e shpëtimit të organizatave private humanitare duhet të prisnin me ditë derisa të ankoronin në një port europian.

Natën e Krishtlindjeve, 223 vetë mundën të largoheshin nga anija e shpëtimit “Sea- Eye 4”. Pas “tetë ditësh të vështira”, bëri të ditur organizata gjermane, Sea-Eye, të shpëtuarit mund të dilnin në portin e Pocalo në Siçili.

Kalimi i i Mesdheut konsiderohet si një nga rrugët më të rrezikshme në botë për refugjatët. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM ka bërë fjalë se këtë vit 1900 vetë janë mbytur ose janë zhdukur në Mesdhe në përpjekje për të ardhur në Europë. Shifra e errët mendohet, se është shumë më e lartë.