75 Mall Live Search
16:33 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Jo projektit që e vendos Kosovën në hartën e gabuar

Mungesa e mundësive dhe standardi i dobët arsimor ka mundësuar që kosovarët të jenë më të prekshëm ndaj propagandës nga grupet ekstremiste.

Ky është konkluzioni i raportit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ku në këtë raport janë kryer tetë intervista me luftëtarë të rikthyer, dy me familjet e tyre, si dhe dy me ato që mbështetën grupet ekstremiste në vend.

Në këtë raport u bë e ditur se largimi i kosovarëve drejt Sirisë ka filluar në vitin 2012 dhe ka vazhduar deri në vitin 2015, ku janë 253 meshkuj, 55 femra dhe 27 fëmijë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ideja se islami është i rrezikuar në Kosovë është false dhe ide e shpikur dhe e eksportuar prej atyre që dëshirojnë të zbatojnë agjendën e tyre, e që sipas tij është agjendë që ka për qëllim rrezikimin e të tjerëve, të qytetarëve e deri te fëmijët.

 

“Përhapja e ideologjisë fetare, përhapja e ideologjisë islame nuk është bërë në shërbim të fesë, nuk është bërë për fenë, nuk ka për qëllim fenë, por është agjendë e ta quaj edhe një herë e rrezikshme. Rrezikon Kosovën, rrezikon njerëzit e Kosovës edhe Kosova me të drejtë duhet me ditë me i thënë jo një projekti të tillë i cili e vendos Kosovën në hartën e gabuar. Këtë e vërteton numri i të rinjve tonë që kanë mbërritur deri në luftërat po i quaj ashtu absurde, luftëra që e rrezikojnë jetën e të gjithëve edhe në projekte që janë rrezik për vendin tonë”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë tha se këtë ‘JO’ duhet t’ia thonë të gjitha familjet, institucionet e arsimit, institucionet e vendit, besimtarët dhe se këtë ‘JO’ ai tha se do ta thonë edhe organet e rendit dhe ligjit.

Haradinaj tha se Kosova është atdhe i të gjithëve dhe  se janë të gatshëm t’i riatdhesojnë ata që kthehen në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se qeveria e tyre anembanë botës po punon për ta luftuar rritjen e lëvizjeve ekstremiste të dhunshme duke u përqendruar në sigurinë, kohezionin dhe përgjegjësitë e përbashkëta.

“Për ta luftuar këtë problem global është thelbësore që të gjithë të punojmë bashkërisht në përpjekjet e përbashkërenditura. Jam më të vërtetë i kënaqur me punën e të gjithëve të përfshirë në këtë raport, i cili ka nxjerr analizë, rekomandime të hollësishme për nxitësit që ndikojnë në luftëtarët në konflikte të huaja nga Kosova. Sepse ofron ky raport disa informata thelbësore dhe vështrime kyçe të diskursit publik për faktorët nxitës që shtyjnë individët për të ju bashkuar konflikteve të huaja dhe për tu përfshirë në aktivitete. Por, në veçanti ky është studimi i parë i drejtpërdrejtë për luftëtarët terrorist në konflikte të huaja në Kosovë dhe ofron një bazë të rëndësishme të të dhënave për kauzat fundamentale që i motivojnë këta individ për të ju bashkuar rrjeteve radikale”, tha ai.

Raporti përfshin intervista me të dënuar nga gjykatat e Kosovës për pjesëmarrje në luftërat e huaja dhe me familjarë të tyre.

Ndërkaq, Alessandra Roccasalvo nga UNDP tha se intervistimi i tyre ka qenë një proces i komplikuar. Ajo paralajmëroi se Kosova do të përballet me sfida në momentin kur luftëtarët kosovarë do të fillojnë të kthehen nga frontet e luftës.

 

“Në Kosovë ballafaqohemi me të njëjtat probleme sikurse çdokush tjetër në Evropë, pra kthimi i luftëtarëve të huaj është fakt janë njerëzit që po kthehen në vendet e tyre dhe kjo ndodh për shkak se shteti islamik i ka vështirësitë e veta. Mirëpo, të gjitha shoqëritë duhet ta pyesin vetën se si duhet t’i ri integrojnë këta njerëz, të cilët kanë bërë diçka që shumica e shoqërive janë kundër”, tha ajo.

Qëllim i këtij raporti ka qenë të kuptohen me mirë faktorët tërheqës dhe shtytës që i bëjnë kosovarët t’iu bashkohen grupeve të huaja terroriste dhe të mbështeten institucionet vendore dhe ndërkombëtare në zhvillimin e politikave dhe programeve më të mira për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj të kthyer.