Biden thotë se Putini do të futet në Ukrainë

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se mendon që homologu i tij rus Vladimir Putin do të futet në Ukrainë, por se nuk dëshiron “luftë të plotë”.
Ai tha në një konferencë për shtyp se Putin do të paguante një “çmim të shtrenjtë” për pushtimin, por tregoi se një inkursion i vogël mund të trajtohej ndryshe, shkruan BBC.
Shtëpia e Bardhë, më vonë, theksoi se çdo lëvizje ushtarake ruse do të përballej me një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nga Perëndimi, transmeton Indeksonline.
Kremlini paralajmëroi se komentet mund të destabilizojnë edhe më tej situatën.
Rusia ka rreth 100,000 trupa pranë kufirit, por shteti po mohon vazhdimisht planifikimin e një pushtimi.
Presidenti Putin i ka bërë një sërë kërkesash Perëndimit, duke këmbëngulur se Ukrainës nuk duhet t’i lejohet bashkimi me NATO-n dhe se aleanca mbrojtëse duhet braktisur aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore.
“Ne e kemi bërë të qartë se çdo zgjerim i mëtejshëm i NATO-s drejt lindjes është i papranueshëm”, tha Putin në një konferencë shtypi televizive.
Arsyet e sakta të Putinit për pozicionimin e trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës nuk dihen, por shumë besojnë se kjo është një përpjekje për të detyruar Perëndimin të marrë seriozisht kërkesat e sigurisë së Rusisë.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, është duke u takuar me ministrat e jashtëm nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, për të bashkërenduar strategjinë perëndimore mbi një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Ai ka paralajmëruar më parë se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në një njoftim të shkurtër.