Call of Duty do të qendrojë në Playstation

“Call of Duty” do të mbetet në Playstation, kanë thënë shefat e Microsoft, pas lajmeve se gjigandi i teknologjisë do të blejë kompaninë e lojërave Activision Blizzard.
Marrëveshja me vlerë 68.7 miliardë dollarë kishte ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e ekskluzivitetit të lojës, e cila është një sukses i madh si në PlayStation ashtu edhe në Xbox, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.
CEO i Microsoft Gaming, Phil Spencer, tha të enjten se loja do të kishte një të ardhme në platformat Sony.
“Kam konfirmuar qëllimin tonë për të respektuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese pas blerjes së Activision Blizzard dhe dëshirën tonë për të mbajtur Call of Duty në PlayStation.”
Ai shtoi: “Sony është një pjesë e rëndësishme e industrisë sonë dhe ne e vlerësojmë marrëdhënien tonë”.
Blerja, që po konsiderohet si më e madhja në historinë e Microsoft, e cila pritet të finalizohet në vitin 2023, do të thotë se kompania do të marrë pronësinë e ekskluziviteteve të lojërave si Call of Duty, Warcraft dhe Overwatch.
Microsoft pretendon se do t’i ndihmojë lojërat të rrisin biznesin e tyre në celularë, PC dhe konzolla, së bashku me sigurimin e blloqeve ndërtuese për metaverse.
Call of Duty filloi në vitin 2003, fillimisht duke u fokusuar në lojërat e vendosura në Luftën e Dytë Botërore, por që atëherë është zhvendosur në Luftën e Ftohtë, vitet 1980, botët futuriste dhe hapësirën e jashtme.