Europa drejt kufizimit të rrjeteve sociale për adoleshentët
Europa po shqyrton ndalimin ose kufizimin e rrjeteve sociale për adoleshentët, ndërsa të dhënat tregojnë se vajzat preken më shumë nga përdorimi problematik i tyre.
Sipas një studimi të mbështetur nga OBSH (HBSC), përdorimi problematik i rrjeteve sociale tek adoleshentët në Evropë është rritur nga 7% në vitin 2018 në 11% në 2022. Ky lloj përdorimi përfshin sjellje si pamundësia për t’u shkëputur nga rrjetet sociale, neglizhimi i aktiviteteve të tjera dhe pasoja negative në jetën e përditshme.
Në disa vende si Rumania, Irlanda dhe Malta janë regjistruar nivelet më të larta të përdorimit problematik te 15-vjeçarët, ndërsa Holanda, Danimarka dhe Estonia kanë nivelet më të ulëta.
Debati po rritet në vende si Britania e Madhe, Franca, Spanja, Austria, Greqia dhe Danimarka, ku qeveritë po shqyrtojnë masa për të kufizuar aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale, për shkak të shqetësimeve për bullizmin online, varësinë dhe rastet e vetëdëmtimit.
Studimi thekson gjithashtu se vajzat janë më të prekura se djemtë nga përdorimi problematik i rrjeteve sociale në të gjithë Evropën, duke e bërë këtë çështje edhe më të ndjeshme në diskutimet për rregullimin e platformave digjitale, shkruan Euronews.

