75 Mall Live Search
16:26 / E Premte, 28 Janar 2022 / A. M.

Ish-punonjësit e “Rilindjes” kërkojnë drejtësi, jo mëshirë nga qeveritarët !

Macet e kutat e morën 20%-shin. Kjo e drejtë iu mohohet ish-gazetarëve e punonjësve të “Rilindjes”. Një zyrtar i AKP-së tha se hise do të kenë të gjithë ata që punuan “nën kupolën” e kullës. I zuri në gojë qiraxhinjtë “Jedinstvo” dhe “Tan”. Qiraxhiu s’mund të ketë hise në pasurinë e huaj !

Zotëri kryeministër Albin Kurti, zgjidhe lamshin, mos i imito paraardhësit…

Nga Agim Muhaxheri

Ish- punonjësit e gjigantit të informimit “Rilindja” janë në aut…

Kanë mbetur nën mëshirën e qeveritarëve dhe zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit…

Në aut janë gazetarët, redaktorët, lektorët, korrektorët dhe punonjësit e tjerë, të cilëve iu mohohet stazhi i punës dhe e drejta e 20%-shit.

Rilindja Media Palace – Oral History Kosovo

Një shprehje thotë: Mos u dëshpëro kur e drejta qan, sepse e keqja edhe nëse fiton, kurrë s’është më e fortë se e drejta…

Ngushëllim apo jo ?

Çka po të vyen kjo e drejtë e vonuar, kur të rrëzojnë përtokë !

T’ia mohosh të drejtën pehlivanit të gazetarisë, shkrimtarit e dramaturgut Ymer Shkrelit, i njohur si Ngucakeqi, dhe i shumë Ymerave tjerë është gjynah prej Zotit !

Dhe ironia e jetës, Ymer Shkrelin që rron në Zvicër, mund ta nxjerrin nga loja dhe të përfitojnë disa “çlirimtarë” !

May be an image of 13 people, outdoors and text that says 'PRINCE COFFEE HOUSE'

“Rilindja” i përballoi topuzit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, më 9 gusht 1990… UNMIK-u më 21 shkurt 2002 ia vuri dryrin “Rilindjes”, në paqe ! Pallatin e “Rilindjes” e uzurpoi qeveria jonë. Iu tha gazetarëve e punonjësve tjerë: Shkoni te shpija, ne jemi padronët…

Zot shtëpie, në shtëpi të huaj ! Çka ta ban i yti, s’ta ban kushi !

“Rilindja” lindi në Prizren më 1945, u rritë në kullën e saj me më tepër se 5 hektarë tokë… Ajo kishte pronë edhe në Tiranë – “Euro Rilindja” – e uzurpuar tash për tash nga uzurpatorë të panjohur…

Hiç më larg se dje (27 janar) bashkë me mikun e kolegun tim Daut Shehun vajtëm në Prishtinë te zyrtari i AKP-së, Zeqir Shkodra që e ka zyren në katin e tretë të hotelit “Grand”. Vajtëm për t’i dërguar dy letra, njëren ekstratin e lindjes dhe tjetrën – kopjen e kartës së identitetit…

Derisa flisnim me të te pragu i zyres erdhi edhe kolegu ynë Ibrahim Berisha, profesor universitar.

Shkodra, një burrë koxha në moshë, na tha se këto dy letra duhet t’i sjellim më vonë, pasi të na njoftojnë në RTK… Ky zyrtar njoftoi se hisja do të ndahet barabar për të gjithë ata që punuan “nën kupolë” të Pallatit. I zuri në gojë dy gazetat njëra në gjuhën serbe, tjetra – turqishte, “Jedinstvo” dhe “Tan”. Ky zotëri nuk e di se këto gazeta ishin qiraxhinj…, të cilat kurrë nuk ia paguan qiranë “Rilindjes” !

Qiraxhiu s’mund të ketë hise në pasurinë e tjetrit. Kjo është logjika juridike.

Paraardhësve të kryeministrit Albin Kurtit palla s’u ka hangër të merren me “Rilindjen”, i kanë grah politikës…

Zotëri Albin Kurti, mos i imito paraardhësit !

Zgjidhe lamshin të lidhur nyje qe 20 vjet !