Deputetët pak interes për politikat sociale, kërkohet rishikimi i vendimit për shuarjen e MPMS-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ngritur 177 herë çështje nga fusha e politikave sociale përgjatë vitit 2021.
Përderisa dialogu social dhe përfshirja e punëtorëve është përmendur më së shumti, çështja e personave me aftësi të kufizuara është përmendur më së paku. Nga ana e tyre, Komisionet parlamentare kanë ngritur vetëm 47 çështje nga politikat sociale.
Këto të dhëna janë prezantuar paraditen e sotme nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” që erdhën si të gjetura nga monitorimi i të gjitha deklarimeve dhe iniciativave të deputetëve në 34 seanca të Kuvendit dhe 110 mbledhje të Komisioneve parlamentare.
Drejtor ekzekutiv i këtij instituti, Visar Ymeri tha se kërkohen në vazhdimësi diskutime dhe studime për modelet e politikave sociale të përshtatshme për vendin tonë.
“Ndërtimi i një sistemi të mirëqenies sociale, i cili është i qëndrueshëm financiarisht e që ofron barazi e përfshirje për qytetarët e Republikës është sfidë për secilin shtet, aq më tepër për Republikën e Kosovës. Prandaj përkundër elementeve tashmë në zbatim të cilat prekin në shumë mënyra mirëqenien sociale të qytetarëve të Republikës, neve na duhen edhe diskutime e studime të vazhdueshme të politikave sociale modelet e të përshtatshëm për vendin tonë dhe efektit të masave në përgjegjësi në mënyre që ta reformojmë shtetin tonë social në të mirë të qytetarëve, interesave tona dhe nevojave të kohës”, ka thënë Ymeri.
Sipas këtij hulumtimi, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka ngritur 56 propozime, diskutime apo çështje që ndërlidhen me politikat sociale; Partia Demokratike e Kosovës 55; Lidhja Demokratike e Kosovës 19, ndërsa Lista Serbe asnjë. Nga 120 deputetë, 57 prej tyre nuk kanë përmendur asnjë çështje që lidhet me dhjetë komponentat e politikave sociale përgjatë 34 seancave të mbledhura.
Menaxheri i këtij projekti në Institutin “Musine Kokalari”, Naim Jakaj tha se asnjë nga 28 projektligjet e proceduara nga legjislacioni social, shëndetësor dhe mjedisor nuk është kthyer në ligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021.
“Nga tema me rëndësishme ka qenë dialogu social edhe përfshirja e punëtorëve që është përmendur më së shumti, ndërsa më së paku ka qenë përfshirja e personave me aftësi të kufizuara. Ndërsa kur jemi të komisionet parlamentare janë 47 çështje që janë ngritur nga 10 komponentët, tema më e përmendur ka qenë mundësitë e barabarta dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara që dallon prej seancave parlamentare, ndërsa edukimi dhe trajnimi për tregun e punës dhe të ardhurave pensioneve të pleqërisë që kanë qenë me së paku të përmendura e sidomos në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Kur jemi të grupet parlamentare nga 177 sa janë ngritur temat Vetëvendosja prin me 15 deputetët e saj i ka ngritur 56 propozime duke vazhduar me PDK-në me 55 herë dhe LDK-ja me 19 herë. Ndërsa kur jemi të përfaqësimi i komuniteteve, komuniteti jo shumice që është me i madhi të komunitetet e të tjera, Lista Serbe është grupi parlamentar që gjatë këtyre seancave parlamentare nuk e ka ngritur asnjë diskutim të këtyre dhjetë komponentëve për qytetarët që i përfaqëson”, ka thënë ai.
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” e konsideron gjithashtu të gabueshëm shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Prandaj, ata i rekomandojnë Kuvendit të Kosovës që të kërkojë nga Qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë çështjen e shuarjes së këtij dikasteri.
Në anën tjetër, Visar Ymeri foli edhe pagën minimale e cila mbetet e pandryshuar në Kosovë prej vitesh. Sipas tij, duhet të funksionalizohet Këshilli Ekonomik Social, si organ ku do të diskutohet sa duhet të jetë paga minimale dhe më pas të merret vendimi nga ekzekutivi.
Kritika kanë pasur edhe për komisionet parlamentare, siç janë ai për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe ai për Buxhet, Punë dhe Transfere, që për një vit të tërë nuk kanë mbikëqyrë zbatimin e asnjë ligji që lidhet me çështjet sociale, siç janë kushtet e punëtorëve në përgjithësi e në veçanti për kushtet gjatë pandemisë.