SHBA ndalon gjigantin kinez të telekomit për shkak të shqetësimeve për spiunazh

China Unicom është bërë gjiganti më i fundit kinez i komunikimit që është ndaluar nga SHBA, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare dhe spiunazhin.
Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) tha se kishte votuar unanimisht për revokimin e autorizimit për njësinë e kompanisë për të operuar në SHBA, shkruan BBC.
Firma duhet të ndalojë ofrimin e shërbimeve të telekomit në Amerikë brenda 60 ditëve.
Njoftimi vjen pasi rivalit më të madh China Telecom iu hoq licenca për të operuar në Shtetet e Bashkuara në muajin tetor.
Firmat kineze të teknologjisë dhe telekomunikacionit janë vënë në shënjestër vitet e fundit nga autoritetet amerikane për shqetësime të sigurisë kombëtare.
Në nëntor, presidenti Joe Biden nënshkroi legjislacionin që ndalon kompanitë që potencialisht përbëjnë një kërcënim për sigurinë.
Sipas Aktit të Pajisjeve të Sigurta, FCC nuk duhet të shqyrtojë më aplikacionet nga kompanitë që konsiderohen si kërcënim.
Kjo do të thotë se pajisjet si Huawei, ZTE dhe tre kompani të tjera kineze nuk mund të përdoren në rrjetet e telekomunikacionit amerikan.