Kurti flet për shpenzimet e deputetëve për derivate: Vendimi është që nga viti 2011

Në konferencën e përbashkët të thirrur nga kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, përveç masave të reja që do të hyjnë në fuqi, Kurti është deklaruar edhe mbi publikimin e shpenzimeve të deputetëve për derivate.
Lidhur me këtë, kryeministri Kurti ka deklaruar se deeputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do të tërhiqen nga ky mbursim.
“Shefja e grupit parlamentar të LVV-së tashmë ka bërë njofitm për këtë çështje duke njoftuar që deputetët tanë do të tërhiqen vullnetarisht nga një kompensim i tillë. Po ashtu ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit rishikimin e këtij vendimi për këtë kompensim”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri gjithashtu ka shtuar se shpenzimet dhe praktikat në fjalë janë të trashëguara nga kuvendet e kaluara, duke thënë se i duket i padrejtë që ndonjë deputet në veçanti të pikëtohet për këto shpenzime.
“Kuvendi duhet të ndërmerr veprime për të ndryshuar rregulloret e kompenzimit për deputetë të Kuvendit të Republikës. Unë e kuptoj plotësisht indinjatën e qytetarëve për këto shpenzime, por në të njëjtën kohë mendoj se është i padrejtë pikëtimi i ndonjë deputeti të veçantë për një vendim që është i vitit 2011. Më shumë se një dekadë kemi pasur shpenzime të këtilla” ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, si ekzekutiv, ai e ka bërë uljen e këtyre shpenzimeve, duke i ulur pagat në Qeveri./Indeksonline/