75 Mall Live Search
15:13 / E Hënë, 28 Shkurt 2022 / B O

Kusari-Lila: Të prezantohet qëndrimi i unifikuar i Kuvendit për agresionin rus në Ukrainë

Shefja e Grupit të Deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Kuvendi i Kosovës do të nxjerrë një rezolutë në lidhje me ngjarjet në Ukrainë, ku do të bëhet i qartë qëndrimi i Kosovës kundër ndërhyrjes ushtarake të Rusisë.

Kusari-Lila theksoi se duhet të dallohen vendet që dolën pro NATO-s dhe pro BE-së, me vendet që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë – sikur Serbia.

“Të prezantohet qëndrimi i Kuvendit, i unifikuar në një rezolutë të përbashkët, që synon të kërkojë nga mekanizmat e BE-ja që të bëhet qartë dallimi mes shteteve që u rreshtuan pro NATO-s dhe BE-së, dhe vendeve që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë, si rasti i Serbisë. Nuk mund të trajtohen njëjtë vendet pas rastit në Ukrainë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo i bëri komentet pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten, më 3 mars, në orën 10:00, në seancë të rregullt plenare, ndërkaq të shtunën, më 5 mars, në orën 12:00, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbajë seancë solemne.