75 Mall Live Search
20:45 / E Martë, 01 Mars 2022 / OSH

Ukrainasja Tanja thotë se askush nuk mund ta thyejë popullin ukrainas

Me qëllim për t’ua përçuar lexuesve tanë atmosferën e luftës në Ukrainë, deshëm të sjellim ndonjë dëshmi nga për së afërmi. Përmes rrjeteve sociale, arritëm të kontaktojmë me zonjën Tanja Kuzmenko, e cila jeton në një qytezë të rrethit të Kijevit, kryeqytetit i cili është duke qëndruar fortë ndaj sulmeve të forcave ruse.

Zonja Kuzmenko, si çdo qytetare tjetër, është e ballafaquar me çështje ekzistenciale, sepse gjersa meshkujt janë rreshtuar në mbrojtjen e vendit të tyre, ajo duhet të kujdeset për nipçen e vogël dhe nusen e djalit. I biri është ushtarak.

Indeks: Përshëndetje, znj. Tanja, ju dëshirojmë që të jeni në të sigurt dhe larg rrezikut për jetë…Si është gjendja momentale në vendin ku gjendeni të strehuar? A ndjeheni të sigurt? A e keni gjithë familjen të strehuar?

Tanja: Unë dhe familja ime, nusja dhe nipi, jemi në një vend të sigurt, autoritetet e qytetit janë vazhdimisht në kontakt me popullsinë, deri tani gjithçka është në rregull.

Indeks: Po situata në qytetin tuaj, Brovari?

Tanja: Qyteti po përgatitet për mbrojtje, por ne jemi të qetë dhe nuk kemi panik,…Ja, tani përsëri alarmi për rrezik nga sulmi ajror . Kjo është përditshmëria jonë. Në të vërtetë, nuk jam në qytetin tim, po në Borispol, ku më gjeti lufta pasi kisha shkuar mysafir dhe mbeta, pasi nuk kam mundësi si të kthehem.

Indeks: Bota është e fascinuar nga rezistenca e fortë që po bën ushtria ukrainase dhe populli? A mendoni se do t’i bëni ballë deri në fund këtij kërcënimi?

Tanja: Ne besojmë në mbrojtësit tanë!!!

Indeks: Ku qëndron forca e popullit të Ukrainës, duke e ditur sa është e fortë ushtria ruse?

Tanja: Ukrainasit janë një komb i fortë, i dëshmuar me shekuj!

Indeks: A mjaftojnë vetëm përkrahjet deklarative të vendeve perëndimore dhe ndihma me armë? A keni pritur që edhe ato t’i vijnë në ndihmë Ukrainës drejtpëdrejtë?

Tanja: Faleminderit për të gjithë mbështetjen e të gjitha vendeve që kanë qenë me ne në këtë luftë kundër agresorit rus. Por ne siç e shifni, kemi edhe një armik tjetër të çmendur, siç është regjimi i i Bjellorusisë. që iu bashkangjit okupatorit.

Indeks: Pas çdo lufte vjen paqja dhe ndonjë marrëveshje e palëve ndërluftuese…A besoni në procesin e negociatave që filluan dje se mund të përfundojë shpejt ky konflikt?

Tanja: Personalisht nuk besoj në këto negociata, sepse dje, derisa zhvilloheshin bisedimet, në këtë kohë pati sulme ajrore në qytetet tona.

Indeks: Në Kievin e rrethuar dhe qytetet tjera a po ndihet mungesa e ushqimit, a ishin qytetarët e Ukrainës të përgatitur nga më parë për këtë situatë?

Tanja: Populli ynë ukrainas nuk ka asgjë për të trembur, ne do t’i mbijetojmë çdo gjëje dhe të gjithëve.Ata nuk do të shkatërrojnë kombin tonë-ukrainas!!!Lavdi Ukrainës!!!Vdekje armiqve!!!

Tanja Kuzmenko na i dërgoi edhe disa foto nga vendstrehimi ku gjendet dhe disa pamje të tjera nga situata më e re e luftës, ku shihen viktimat civile në qytetin e Harkovit. /Indeks.mk