Edhe Bosnja nis procedurën për heqje të akcizës për derivate

Dhoma e Përfaqësuesve e Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për akcizat, përmes të cilit synohet të hiqet akciza për naftën dhe derivatet e saj, për gjashtë muaj, ka shkruar portali “Klix.ba”.
Projektligji u shqyrtua në procedurë të përshpejtuar dhe u mbështet nga 31 deputetë. Askush nuk votoi kundër, kurse një abstenoi.
Përmes kësaj nisme pritet të hiqen akcizat për naftën, gazin, vajgurin, benzinën motorike pa plumb, benzinën motorike, vajin për ngrohje, gazin e lëngshëm të naftës për lëvizjen e mjeteve motorike, biokarburantet dhe biolëngjet, në kohën kur çmimet janë rritur si asnjëherë më parë për shkak të luftës Ukrainë – Rusi.
Pas skadimit të afatit prej 6 muajve, i është lënë mundësia Këshillit të Ministrave të Bosnjës që të zgjasë edhe për tre muaj këtë masë.
Që Projektligji të kthehet në ligj, duhet të konfirmohet nga Dhoma e Popullit e Asamblesë Parlamentare dhe nëse kjo ndodh, çmimet e të gjithë derivateve të naftës do të bien. Akciza për litër në Bosnjë, është 15 centë.
Në Kosovë, akciza për litër të derivateve të naftës është 35 centë. Në fakt, edhe në Kosovë ka pasur thirrje për heqje të akcizës ose TVSH-së. Çmimi i naftës në Kosovë ka shkuar në mbi 1.7 euro për litër.