75 Mall Live Search
14:51 / E Enjte, 10 Mars 2022 / AR

Haxhiu: S’kemi asnjë grua që udhëheqë ndonjë prokurori në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka theksuar se është e rëndësishme që të kemi më shumë gra udhëheqëse të gjykatave dhe prokurorive por edhe barazi në nivelet tjera.

Ajo njofton se aktualisht vetëm 2 gjykata udhëhiqen nga gratë dhe nuk kemi asnjë prokurore që udhëheqë ndonjë prokurori, andaj ministrja Haxhiu kërkoi që kjo të adresohet në rastet e përzgjedhjes, raporton Indeksonline.

Njoftimi i plotë:

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, isha pjesë e organizimit të forumit të tyre, me ç’rast i urova për punën e tyre e po ashtu theksova rëndësinë që kanë vendimet e tyre në jetën e qytetarëve e në veçanti grave e vajzave në vendin tonë.

Theksova se puna e ndershme, me etikë, integritet dhe parime të bazuara në ligj duhet të jetë përditshmëria e secilës prej nesh.

Në këtë takim theksova rëndësinë e veprimeve serioze në rastet e dhunës në familje, baza gjinore dhe dhunën ndaj grave e po ashtu në rastet e ndarjes së pasurisë, trashëgimisë etj

Gjithashtu theksova se është e rëndësishme që të kemi më shumë gra udhëheqëse të gjykatave dhe prokurorive por edhe barazi në nivelet tjera.

Aktualisht vetëm 2 gjykata udhëhiqen nga gratë dhe nuk kemi asnjë prokurore që udhëheqë ndonjë prokurori prandaj kërkova që kjo të adresohet në rastet e përzgjedhjes.