Policia dhe Inspektorati përfundojnë bastisjen në depon e “Viva Fresh Store”

Rreth dy orë ka zgjatur aksionin i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit të Tregut në ë depon kryesore të “Viva Fresh Store” në dalje të Prishtinës.
Aksioni ka përfunduar para pak minutash.
Ende nuk dihet se çfarë është gjetur në këto depo dhe çfarë veprime do të merren.
Dyshohet se edhe ky rrjet i njohur i marketeve në Kosovë tash e sa ditë ka mashtruar klientë të saj me rritjen e çmimeve të vajit dhe heqjen e produkteve nga raftet e marketeve me arsyetimin sa ka mungesë të tyre.
Kurse, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur veprimet e policisë së Kosovës dhe Prokurorisë kundër abuzuesve me çmime të produkteve.
Haxhiu inkurajon qytetarët që të vazhdojnë me raportimin e shkeljeve.
“Është për tu mirëpritur veprimi i përbashkët i policisë dhe prokurorisë në ndërmarrjen e masave kundrejt abuzimit me çmimet e produkteve ushqimore bazike. Inkurajoj edhe qytetarët që të vazhdojnë raportimin e shkeljeve. Vetëm bashkëpunimi i ndërsjellë ndalon keqpërdorimet e abuzimet e tilla”, tha ajo.
Edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se është duke përcjellur me shqetësim ngritjen e çmimeve të disa produkteve bazë, gjë për të cilën ajo thotë se do të ndjeken penalisht bizeneset që veprojnë kësisoji.
Ministrja gjithashtu është shprehur se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend per panik.
“Me shqetësim kam pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale. Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal i postuar më poshtë” ka shkruar Hajdari në Facebook, bashkë me një kopje të nenit 295 për keqpërdorim të pozitës së monopolit.