75 Mall Live Search
08:24 / E Shtunë, 12 Mars 2022 / B O

Dita e 17-të e luftimeve, bombardime në Kiev dhe qytete të tjera

Ka nisur me shpërthime të fuqishme në Kiev dhe disa qytete të tjera, dita e 17-të e luftimeve në Ukrainë. Sipas autoriteteve lokale, sulme janë regjistruar në në qytetet Nikolaev, Dnipro dhe Kropyvnytskyi. Një depo e magazinimit të ushqimit të ngrirë në rajonin e Kievit mori flakë të shtunën si pasojë e granatimeve.

Rusët kanë rrëmbyer kryebashkiakun e Melitopol, Ivan Fedorov. Ministria e Punëve të Jashtme ka paralajmëruar se rrëmbimi përbën një krim lufte, ndërsa presidenti Zelensky e barazoi rrëmbimin me veprimet e “terroristëve të ISIS” dhe tha se forcat ruse “kanë kaluar në një fazë të re terrori”.

Ukraina është zgjuar mëngjesin e kësaj të shtune me shpërthime të fuqishme. Sipas BBC, që citon autoritetet lokale, shpërthime ka pasur në qytetet Nikolaev, Dnipro dhe Kropyvnytskyi.

Sipas një kanali Telegram të drejtuar nga autoritetet lokale, sistemi i mbrojtjes ajrore të Dnipro u aktivizua me sukses.

Nuk është e qartë se sa shpërthime goditën Dnipro, por autoritetet shtuan se ata po prisnin të dëgjonin zyrtarisht përgjigjen nga ushtria.

Sakaq, sulme ka pasur në orët e para të mëngjesit edhe në Kiev. Një depo e magazinimit të ushqimit të ngrirë në rajonin e Kievit mori flakë të shtunën si pasojë e granatimeve, sipas një postimi nga Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës (SES). Deri më tani nuk raportohet për viktima.