75 Mall Live Search
11:12 / E Shtunë, 19 Mars 2022 / A. M.

Kurti tregon historik të marrëdhënieve Kosovë – Austri, thotë se ishte rreze shprese gjatë okupimit

Kryeministri Albin Kurti ia kushtoi një shkrim historikut të marrëdhënieve Kosovë – Austri, pas takimit me Kancelarin e këtij vendi, Karl Nehammer.

“E falënderova kancelarin Nehammer për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe ndihmën e dhënë para dhe gjatë luftës në Kosovë. Austria ishte rreze shprese për ne gjatë okupimit dhe apartheidit”, ka shkruar Kurti.

May be an image of 2 people

“E para ua hapi dyert nxënësve dhe studentëve shqiptarë të Kosovës, të cilëve u mohohej e drejta e studimit në objektet legjitime arsimore. Ishte edhe ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë, e që nga atëherë investimet e Austrisë në Kosovë kapin vlerën prej 287 milionë euro”, tregoi Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook.

I pari i Qeverisë tha se vizita e djeshme dhe takimet miqësore rikonfirmuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve.

“Dy popuj, me kulturë të vjetër e me të përbashkëta historike zhvilluan marrëdhëniet përgjatë shekujve dhe do t’i zhvillojnë edhe më tej falë interesave të përbashkëta”, tha kryeministri.

May be an image of 9 people and people standing

“Kryeqyteti austriak ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. Studiues e intelektualë që vepruan e formësuan aspiratat e dy popujve si: Johan Georg von Hahn, konsull i Austrisë në Janinë më 1847, themelues i Albanologjisë; Carl Patsch, ilirolog dhe udhëheqës i themelimit të Muzeut Kombëtar të Shqipërisë; Maximilian Lambertz, studiues me kontribut të madh në albanologji dhe folklorin shqiptar; albanologët e mirënjohur Hermann Ölberg, Gustav Meyer dhe Norbert Jokl. Gjuhëtari i madh shqiptar, Eqrem Çabej ishte student i Norbert Joklit. Gjergj Pekmezi themeloi Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës, që mban edhe emrin e tij. Ai dhe shkrimtari ynë Hilë Mosi ishin themeluesit e Shoqatës “Dija”, në Austri, më 1904”.

Tutje Kurti rikujtoi se në Vjenë, saktësisht në Muzeun e Historisë së Artit, ruhen armët origjinale të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

“Personalitetet austriake me origjinë shqiptare, arkitekti i famshëm Karl Gega dhe aktori i jashtëzakonshëm i teatrit Aleksandër Moisiu, janë vlerat tona të përbashkëta me të cilat krenohet bota e civilizuar”.

“Interesimi dhe përkrahja e personaliteteve dhe diplomatëve austriakë për shqiptarët dhe përpjekjet e luftërat e tyre për çlirim e shtetndërtim nuk u ndalën asnjëherë”.

“Aktivistja e të drejtave të njeriut, Christine von Cohl, gazetare, shkrimtare dhe eksperte e Ballkanit, e cila vepronte në Vjenë, ishte përkrahësja e pakursyer e të drejtës së shqiptarëve të

Kosovës për liri e demokraci. Ajo mbahet mend veçanërisht për artikujt dhe librat e saj mbi shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990”.

“Shqiptarët do t’i kujtojnë me respekt kontributin dhe mbështetjen e miqve austriakë Franz Vranitzky, ish kancelar i Austrisë, Alois Mock, ish-zëvendëskancelar, Albert Rohan, ish ndërmjetësuesi në bisedimet për Kosovën dhe ish-zëvendës kancelari Erhard Busek, i cili vdiq para pak ditëve. Për humbjen e tij i shpreha dje ngushëllimet më të sinqerta kancelarit Nehammer”, përfundoi Kurti.