LDK i kërkon Qeverisë vendim të mirë dhe të qartë për zgjedhjet serbe të 3 prillit

Qeveria e Kosovës ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do t’i lejoj mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit edhe në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dëshiron që të respektohet Kushtetuta, Ligji dhe rezoluta e nxjerrë në Kuvendin e Kosovës për çështjen e referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, por ka shtuar se nuk duam që t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës.
Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se është koha që Qeveria të qartësoj vendimin e saj përkitazi më këto zgjedhje.
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se kjo çështje është ekskluzivisht punë e Qeverisë.
Ai ka thënë se është mirë që ekzekutivi me pas një qëndrim të mirë dhe të qartë.
“Nuk besoj që partitë politike duhet me u marr me këtë punë, është koha që Qeveria me pas një qëndrim të mirë e të qartë. LDK është parti opozitare nuk kemi pse e mbështesim ose të jemi kundër, e shikojmë çfarë vendimi po merr Qeveria”, ka thënë Muhaxheri për Indeksonline.
Kurti ditë më parë ka deklaruar për mediet se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët e QUINT-it për këtë çështje. /Indeksonline/