Shënohet rasti i parë i gripit të shpendëve në Shqipëri

Në Durrës të Shqipërisë është konfirmuar rasti i parë i Influencës Aviare i tipit H5N8, ose siç njihet ndryshe gripi i shpendëve.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndërsa njoftohet se rasti është konfirmuar në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë.
Siç njoftohet, gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik pasi Ministria e Bujqësisë ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave.
Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës.
Hetimi epidemiologjik deri më tani njoftohet se bëhet fjalë për rast të izoluar.
Ministria e Bujqësisë njofton se është vendosur karantinimi, udhëzuar për masat e sigurisë dhe higjienës që duhet të zbatohen, janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nëprodukteve të tyre.