Agjencia për Informim dhe Privatësi gjobitë Komunën e Podujevës

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ditë më parë pohon të ketë pranuar informacion se Komuna e Podujevës në faqen zyrtare të saj ka të publikuara për një kohë të gjatë lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave të qytetarëve, të cilët kanë fituar subvencione, që përfshijnë periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2022.
“Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP ka konstatuar se Komuna e Podujevës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve, të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emri, mbiemri, numri personal, numri i telefonit, vendbanimi dhe shumën e përfituar. Përmes publikimit të këtyre të dhënave, e njëjta ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me këtë ka kryer kundërvajtje nga neni 92, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me vendimin Nr. 73/22, të datë 23.03.2022, ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse ndaj Komunës së Podujevës, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”, thuhet në njoftimin e AIP-së.
AIP ka bërë thirrje tek të gjithë kontrolluesit publik dhe privat, që përpunimin e të dhënave personale të bëjnë në mënyrë të ligjshme.