75 Mall Live Search
21:13 / E Diele, 27 Mars 2022 / MSH

​Negociatat Ukrainë-Rusi do të mbahen në Stamboll

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë rënë dakord të organizojnë raundin tjetër të bisedimeve ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, njoftoi sot kabineti i Erdogan-it pas një bisede telefonike me Putin.

Presidentët e të dy vendeve raportohet se diskutuan zhvillimet e fundit në luftën ruso-ukrainase dhe procesin e negociatave.

“Erdogan dhe Putin kanë rënë dakord të organizojnë takimin e ardhshëm të delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll”, shtohet në deklaratë.

“Erdogan theksoi nevojën për të arritur një armëpushim dhe paqe midis Rusisë dhe Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të përmirësuar situatën humanitare në rajon. Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces”, thuhet më tej në deklaratë.

Deputeti ukrainas dhe anëtar i ekipit negociator, Davyd Arakhamia, ka shkruar në Facebook se raundi tjetër i bisedimeve do të mbahet në Turqi nga e hëna deri të mërkurën, transmeton Ukrinform.

Kryenegociatori rus, Vladimir Medinski, konfirmoi se palët kishin rënë dakord të takoheshin, por tha se kjo do të ndodhë të martën dhe të mërkurën.