Pranga shqiptarit në Angli, ja si u qëllua brenda shtëpisë së barit

Një kujdestar shqiptar i një shtëpie bari në Angli, është qëlluar në këmbë nga një bandë rivale, që kishte shkuar për të vjedhur sasinë e drogës.
Shqiptari, Anduel Dorti, kujdesej për 340 bimë kanabisi, me një vlerë prej 250 mijë eurosh. Pasi u futën brenda, njëri prej tyre nxorri armën dhe qëlloi në drejtim të 34-vjeçarit shqiptar. Shqiptari u dërgua më pas në spital nga një prej anëtarëve të bandës së tij, i cilësuar në gjykatë si “Toni shqiptar”.
Ndërkohë prokurori tha se mbrëmjen e 24 janarit të këtij viti kishin marrë raportime për të shtëna me armë zjarri në atë zonë. Policia mësoi se disa persona tentuan të futeshin në fermën e kanabisit dhe se gjatë mosmarrëveshjes shqiptari u qëllua në këmbë.
Shqiptari Anduel Dorti, pa adresë fikse, u trajtua për lëndimet e tij në Spitalin e Përgjithshëm Verior të Sheffield dhe kur u intervistua dy ditë pas të shtënave, mohoi çdo përfshirje. Por më vonë ai u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit ndërsa nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm.