Kupa e Kosovës, flasin përfaqësuesit e klubeve gjysmëfinaliste, premtojnë ndeshje spektakolare

Të enjten në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ku edhe janë mësuar çiftet gjysmëfinalise.
Llapi që është kampion në fuqi i kësaj gare do të ballafaqohet me Prishtinën në këtë fazë kurse Drita kishte më shumë fat në këtë short pasi do të ballafaqohet me Ramiz Sadikun.
Menjëherë pas hedhjes së shortit, përfaqësuesi i Dritës Valon Zymberi tha se shorti ishte i favorshëm për skuadrën e tij dhe Drita synon ta fitojë këtë trofe, por edhe titullin kampion gjithashtu.
“Sigurisht se çdo ekip që ka qenë sot në short është ekip i respektuar, është ekip që me meritë ka arritur deri këtu, të gjitha ekipet kanë vlerë por natyrisht duke pasur parasysh edhe rangimin se ku merr pjesë Ramiz Sadiku, është një ligë më poshtë, praktikisht edhe teorikisht i bie që është një favor për ne…Sigurisht Drita e ka pasur synim edhe kupën edhe titullin kampion. Jemi në rrugë të mirë për të dy trofetë. Shorti ka dashur që ndoshta të mendojmë që jemi më afër trofeut të kupës por gjithsesi mendojmë që të jemi në garë deri në fund edhe për titull.”
Pak çaste para hedhjes së shortit, Zymberi shprehu disa dyshime për mënyrën e hedhjes së shortit dhe për këtë u sqarua menjëherë para mediave duke thënë se kishte dyshime pas zhvillimeve të fundit në FFK, por që më pas kuptoi se gjithçka ishte në rregull.
“Unë po besoj që tani më jemi krejt koshient me ngjarjet e fundit dhe me rrjedhat si kanë shkuar këto kohët e fundit për shkak të zgjedhjeve në federatë. Ka pasur shumë thashetheme e gjëra të tilla andaj është menduar që ndoshta edhe kjo pjesa e besimit ka humbur për shkak të disa parregullsive që kanë ndodhur edhe në kampionat ku ne i kemi pasur dyshime tona edhe ankesat tona andaj ishte e rrugës dhe ishte normale që unë t’i largojë dyshimet e mia në mënyrë që të jetë gjithçka në rregull dhe korrekte.”, tha Zymberi.
Kurse, përfaqësuesi i KF Prishtinës, Kushtrim Sopa deklaroi se Prishtina do ta vlerësoj secilin kundërshtar në këtë kompeticion duke përfshirë edhe Llapin dhe se kupa është rruga më e shkurtët që Prishtina të dal në garat evropiane.
“Vet fakti që janë katër gjysmëfinalistë, secila skuadër e ka peshën e vet, rëndësinë, vlerën e vetë, secila sigurisht ka pasur një rrugëtim të gjatë për të arritur këtu ku jemi sot, çdo kundërshtar do të vlerësohet dhe respektohet prej Prishtinës, në këtë rast edhe Llapin…Për momentin është rruga e vetme, por kampionati ka edhe 10 xhiro, nëse ka ecuri pozitive në këtë pjesën e mbetur atëherë do të tentohet edhe përmes tabelës…Kundërshtar shumë i vështirë që duhet analizuar me kujdes, por kjo pjesë i mbetet shtabit teknik për ta analizuar.”, theksoi Sopa.
Për shortin e Llapit foli Muhamet Regjepi tha se Llapi synon ta fitoje sërish trofeun e kupës, por për ta fituar atë duhet të eliminojnë skuadra të forta.
“Realisht Llapi çdo vit lufton për trofe, tani më kupës siç themi ne llapjanë ia kemi marrë dorën dhe këtë vit do të luftojmë për kupë, por besoj që edhe vitin e ardhshëm dhe ta bëjmë tre herë radhazi. Por kundërshtari nuk është edhe i lehtë. Prishtina ka emër, është ekip i mirë, me gjithë vështirësitë e saj pavarësisht Prishtina është Prishtinë. Është një derbi rajonal dhe do të jetë interesant, ndeshje e fortë, të shohim…Ideal po sepse edhe të fortat duhet t’i eliminojmë, por më ideal do të kishe qenë normal, me gjithë respektin për Ramiz Sadikun edhe për Dritën por normal çdokush do ta kërkonte Ramiz Sadikun, por kjo është, duhet edhe të fortat t’i eliminojmë për të fituar diçka”, theksoi Regjepi.
Ndeshjet e para të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës zhvillohen më 7 prill, kurse ato kthyese më 13 Prill.