75 Mall Live Search
22:12 / E Enjte, 31 Mars 2022 / OSH

Durmishi: Do na shkoj i gjithë mandati për të zgjidhur problemet që na kanë lënë

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi thotë se i gjithë viti 2021 i ka shkuar qeverisë duke bërë rregullimin e çështjeve të shpronësimeve.

Durmishi në “Debat Plus” ka thënë se kur kanë ardhur në detyrë janë përballë me probleme të mëdha me shpronësimet e pronarëve që shteti ua ka marrë tokat për ndërtimin e rrugëve.

“Kur kemi ardhur në Qeveria e kemi gjetur buxhetin e miratuar. Ka shumë projekte që kanë filluar për një kohë të gjatë e janë zvarritur me vite e që tash ne duhet të zgjidhim këto probleme. Kemi gjetur buxhetin me 2.2 milionë euro për të gjitha shpronësimet në Kosovë. Shumica e kontratave problemet kryesore i kanë me pronat. Kjo tregon se qeveria paraprake nuk e ka pas në plan të vazhdojë asnjërin nga projektet e nisura”, tha ai.

“Me rishikimin e buxhetit në qershor rritëm buxhetin në 4 milionë, derisa në fund të vitit 2021 arritëm të paguajmë shpronësime prej 23 milionë euro. Kemi gjetur borxh 182 milionë euro borxhe për shpronësime”.

Durmishi thotë se në situatën aktuale të shpronësimeve nuk mund të pritet progres në ndërtimin e rrugëve.

“Me borxhe 182 milionë euro, me qenë ekonomisti më i mirë në botë nuk mund t’i zgjidhësh problemet e trashëguara. Neve do të na duhen disa vite për t’i zgjidhur këto probleme. Pra neve na shkon i gjithë mandati për të zgjidhur problemet që na kanë lënë”.

Durmishi thotë se kjo qeveri duhet të kompensojë pronarët e tokave për 12 rrugë që janë ndërtuar shumë moti në mënyrë që të mos përfundojë shteti në procedura gjyqësore.