Rrena e 1 prillit shkakton ‘tërmet’ në RTK

Historikisht, shumë media kanë rënë pre e lajmeve të rreme të 1 prillit. Këtë vit, kësaj liste iu bashkua edhe RTK-ja, porse një gjë e tillë, ka shkaktuar pasoja për përgjegjësit e lajmeve në këtë medium.
Indeksonline merr vesh se ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të Lajmeve në RTK Enver Bajrami ka kërkuar nga menaxhmenti i RTK-së që ta liroj nga kjo përgjegjësi, pasi me 1 prill transmetuesi publik ra pre e lajmit të rremë të studiueses gjermane, Suzana Starikov, e cila shkroi në Twitter se kryeministri Edi Rama është kandidat për sekretar të ri të NATO-s.
Burime brenda RTK-së thonë se Bajrami ka njoftuar kolegët se kërkesa e tij, që është bërë qysh të shtunën, është pranuar nga menaxhmenti i RTK-së. Por, burime brenda transmetuesit publik thonë se z. Bajrami nuk është i vetmi që do të lë pozitën, pasi masa disiplinore i janë shqiptuar të shtunën, me 2 prill edhe linjës tjetër editoriale.
Kujtojmë se gjatë këtij viti, në RTK ka pasur shkarkime të shumta.
Lajmi i vertetë i 1 prillit në RTK, megjithatë doli të jetë shkarkimi i drejtorit të Marketingut Arian Sahiti dhe emërimi në këtë pozitë i Ariana Pallatës./Indeksonline/