75 Mall Live Search
11:28 / E Mërkurë, 06 Prill 2022 / k.v

Punësimet e fundit në KEK/ LDK dorëzon kallëzim penal në prokurori, kjo e fundit dje ka iniciuar hetimet

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot në orën 14:00 do të dorëzoi kallzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Mbrëmë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre, sipas Abdixhikut nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet.

“Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternativë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka deklaruar dje se kanë ftuar Prokurorinë të nisë hetimet mbi këtë proces skandaloz e korruptiv.

Ndërsa në orët e vona të djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet pas dyshimeve se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/