75 Mall Live Search
15:02 / E Enjte, 07 Prill 2022 / A. M.

Ukraina paraqet projekt-marrëveshje me Rusinë, ja çfarë deklaron Lavrov!

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të enjten se Kievi i kishte paraqitur Moskës një projekt-marrëveshje paqeje, por ajo devijoi nga propozimet për të cilat të dyja palët kishin rënë dakord më parë.

Ai i cilësoi elementët e marrëveshjes si të “papranueshëm”, por Rusia megjithatë do të vazhdojë bisedimet dhe do të bëjë presion për të siguruar kërkesat e veta.

Kremlini ka thënë se bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit nuk po përparojnë aq shpejt sa do të donte dhe ka akuzuar Perëndimin se po përpiqet të prishë negociatat duke u fokusuar në akuzat për krime lufte, të cilat Moska i mohon.

“Pamundësia për të rënë dakord edhe një herë nënvizon qëllimet e vërteta të Kievit, pozicionin e tij për të tërhequr dhe madje minuar bisedimet duke u larguar nga mirëkuptimet e arritura,” tha Lavrov, duke shtuar se propozimet e Kievit ishin “të papranueshme”.

Nuk ka patur përgjigje të menjëhershme nga Ukraina. Kievi ka thënë se duhen bisedime, por nuk është i gatshëm të heqë dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial.

Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt në atë që e quajti një operacion special për të çmilitarizuar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të çrrënjosur njerëzit që i quajti nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase kanë ngritur rezistencë të ashpër dhe Perëndimi ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse në një përpjekje për të detyruar Rusinë të tërheqë forcat e saj.