Udhëtari e bezdiste, Tyson e përgjakë me grushta

Ish-kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks, Mike Tyson, e ka grushtuar mbrëmë një pasagjer në aeroplan, raporton “TMZ”.
Sipas një video të publikuar nga “TMZ”, Tyson e ka grushtuar vazhdimisht pasagjerin që ishte i ulur prapa tij, pasi që ai e kishte provokuar atë.
Incidenti ndodhi rreth orës 7:30 të mëngjesit në kohën tonë lokale, ku Tyson ishte duke udhëtuar nga aeroporti internacional i San Franciskos drejt Floridës.
Sipas një dëshmitari, Tyson fillimisht bëri një foto dhe ishte tejet i durueshëm me pasagjerin e emocionuar që ishte i ulur pas tij që vazhdimisht i fliste.
Më pas, ish-boksierit 55 vjeçar si duket i erdhi në maje të hundës që pasagjeri prapa tij i fliste te veshi, ku vazhdimisht Tyson i kërkonte të qetësohej, por kur pasagjeri në fjalë vazhdoi mos ta dëgjonte, Tyson shpërtheu duke filluar ta grushtojë atë.
Pas incidentit, Tyson u largua nga aeroplani ndërsa pasagjeri mbeti i plagosur.
Ky i fundit mori edhe mjekimin nga stafi mjekësor dhe më pas shkoi në polici për ta denoncuar konfrontimin.
Si duket, njeriu në fjalë do të punësojë avokat për të ndjekur në mënyrë ligjore ish-boksierin Mike Tyson, për shkak të lëndimeve të marra.