75 Mall Live Search
18:46 / E Premte, 22 Prill 2022 / MSH

Bëhet rivarrimi i dëshmorit Brahim Morina

Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot në varrezat e dëshmorëve, është bërë rivarrimi i dëshmorit të kombit, Brahim Islam Morina, nga fshati Drenoc.

Të pranishëm në këtë ceremoni të rivarrimit ishin edhe figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, Faton Klinaku, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përfaqësues të autoriteteve qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi.

Në këtë ceremoni, ish-komandanti i Brigadës 121, Fatmir Limaj, tha se, rivarrimi i dëshmorit të kombit, Brahim Ismal Morina, nënkupton vendosjen pranë shokëve të tij dëshmorë, të cilët u flijuan për lirinë e atdheut.

“Nuk ka krenari më të madhe se sa, të nderosh e respektosh dëshmorët e kombit dhe gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës”, ka thënë Limaj.

Gjithashtu, një fjalë rasti ka mbajtur edhe Ramush Haradinaj, i cili tha se dashuria për atdheun e tokën shqiptare e ka dërguar deri në flijim dëshmorin e kombit, Brahim Morina.

Pas ceremonisë së rivarrimit, në 23 vjetorin e rënies së Brahimit, është mbajtur edhe një Akademi Përkujtimore në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë.

Ne këtë akademi përkujtimore, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se Brahim Morina, ishte një veprimtar i madh, që u lind, u rrit dhe u flijua me nder e krenari, ashtu siç ndër breza këto vlera i kultivonte familja me traditë të pastër kombëtare e patriotike nga Drenoci i Malishevës.

“Ne duhet të jemi të lumtur e krenar, që Baca Brahë, tashmë është krah shokëve të tij të luftës, krah gjithë atyre që i ka bashkuar një mision i madh e gjithë popullor për çlirim e liri, krah bashkëluftëtarëve të tij, krah miqve më të mirë që dhanë jetën për atdhe”, tha Kastrati.

Në fund të Akademisë Përkujtimore, është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar dëshmorit malishevas.