Kush është Donfried, që nga Washingtoni zbret sot në Prishtinë?

Ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë dhe tani ndihmës sekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried, do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor, duke nisur nga sot me Kosovën, e deri me 29 prill ku do të qëndrojë në Shqipëri, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi.
Donfried, sipas DASH-it, do të falënderojë fillimisht Kosovën për strehimin e afganëve dhe ukrainasve.Dialogu Kosovë-Serbi dhe çështjet e sigurisë, pritet të jenë temë e diskutimeve me zyrtarët e lartë kosovarë si presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
Me origjinë, diplomatja amerikane e karrierës është nga Amherst, Massachusetts (SHBA). Pas studimeve në Universitetin Wesleyan dhe në Mynih, ajo mori doktoraturën nga Shkolla e Drejtësisë dhe Diplomacisë “Fletcher”.
Karriera në qeverinë amerikane e Donfried-it filloi në vitin 1991 në Shërbimin Kërkimor të Kongresit.
Pati post të lartë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës (NIC) në vitin 2011. Më vonë u transferua në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në vitin 2013. Ajo në këtë post, pason Philip T. Reeker. Ky i fundit vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit të kaluar.