I qetë pas dorëzimit të demarkacionit në Kuvend, Haradinaj punon deri në orët e vona (Foto)
Ka thënë se do të punojë pa folur shumë dhe duket se po e mban fjalën. Kryeministri Ramush Haradinaj ka qëndruar në zyrë me stafin e tij duke punuar ndonëse ora kishte shënuar pothuajse 10 e natës, shkruan Indeksonline.
Në një foto të publikuar në rrjetin social Instagram nga Meliza Haradinaj, kryeministri duket i lumtur dhe i qetë në përfundimin e ditës së sotme, ku u vendos nga Qeveria që demarkacioni të dërgohet për ratifikim në Kuvend.
“Ora 21:24 në përfundim edhe të një dite tjetër të suksesshme!”, ka shkruar Meliza Haradinaj.
Vendimi i tillë shihet se e ka qetësuar kryeministrin, meqë ai është shprehur në vazhdimësi i bindur se versioni i marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015 nuk do të kalojë.
Ai ka deklaruar se i beson të gjeturave dhe punës së komisionit që e ka formuar që ditën e parë të punës si kryeministër, me në krye Shpejtim Bulliqin. Komisioni i këtij të fundit ka dorëzuar raportin përfundimtar sipas të cilit Kosova humbë tokë me versionin aktual të demarkacionit, shkruan Indeksonline.
Kështu, nëse demarkacioni dështon në seancën e radhës, ai do të kthehet në pikën 0 dhe do të merret për bazë raporti i paraqitur nga Bulliqi në Qeverinë “Haradinaj”./Indeksonline/