Rama, SPAK-ut: Jeni në prag të skualifikimit, po na soset durimi

Kryeministri Edi Rama u tregua shumë kritik ndaj punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në Shqipëri (SPAK), të cilën e cilësoi tallje të madhe me shqiptarët.
Rama tha se SPAK është duke e humbur luftën me të keqen në vend, ndërsa paralajmëroi se durimit të qeverisë lidhur me këtë situatë po i vjen fundi.
“Ia përsëris SPAK, keni hetuar për këdoqoftë që i përket kësaj bashkësie, bujrum hetoni! Në nivelet me të larta… bujrum. Por realisht po hyni në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend. Dhe deri tani e keqja kualifikohet, deri tani ju skualifikoheni. Durimi ynë po soset. Kjo do të thotë që SPAK-u dhe të gjithë ata që duan drejtësi në këtë vend, duhet të kujtohen se ne nuk e kemi humbur gojën, e kemi vënë”, tha Rama.
Kryeministri tha se SPAK-u se nuk ka çuar para drejtësisë asnjë gjykatës e prokuror të korruptuar të nxjerrë jashtë sistemit nga vettingu, gjë që siç tha, është nga gjërat e para që do t’i kërkohet Shqipërisë në tryezën e negociatave.
“A e dini ju që SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme për të vepruar minutë për minutë që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga sekretari i shtetit si një nga kampionët në luftën ndaj korrupsionit, që të mos hynte në proces si gjykatës. Sa gjykatës e prokurorë të nxjerrë jashtë për pasuri të pajustifikueshme do ishin sot në burg? Ku janë ata sot? Me ca merren? Janë në punën e tyre. Asnjë gjemb në këmbë nuk i ka hyrë”, tha Rama.
Rama vazhdoi komentet e tij edhe në Twitter, duke thënë se puna e SPAK-ut po i shkon përshtat presidentit të Shqipërisë, Ilir Metës, të cilin Rama e quajti armik të reformës në drejtësi.
“Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!”, shkroi Rama.
“Meqë ka marrë përsipër të sqarohet SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit,ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin!”. /Euronews.al