Vuçiq dhe Daçiq s’e duan asnjë shqiptar në Kuvendin e Serbisë, reagon Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka deklaruar se pushteti autoritar i Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit në Beograd po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore.
Ai përmendi faktin se si Komisionin Republikan Zgjedhor po tenton përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanocit.
“Ne do të ankohemi në Gjykatën Administrative, kjo flet se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në një parlament me 250 deputetë, kryesisht serbë dhe të dominuar nga SNS i Vuçiqit dhe SPS i Daçiqit”, është shprehur ai.
Postim i plotë:
VUÇIQI DHE DAÇIQI DËSHMOJNË SE NUK DUAN INTEGRIM TË SHQIPTARËVE NË INSTITUCIONE, POR KONTROLL TË VENDIMMARJES SË KOMUNAVE TË LUGINËS PËR T’IA NGUSHTUAR EDHE ATY SHQIPTARËVE PRANINË DHE PËRFSHIRJEN
Pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore.
Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanocit.
Përderisa ne do të ankohemi në Gjykatën Administrative, kjo flet se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në një parlament me 250 deputetë, kryesisht serbë dhe të dominuar nga SNS i Vuçiqit dhe SPS i Daçiqit.
Keqpërdorimi i mekanizmave shtetëror nga SNS dhe SPS të Qeverisë së Serbisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore po shoqërohet paralelisht me përfshirjen e tyre në vendimmarjet e Komunave të Luginës.
Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se Serbia nuk do shqiptarë në institucione. Në vend të integrimit të shqiptarëve përtej organeve jokomunale, Qeveria e Serbisë po integrohet çdo herë e më shumë në pushtetet komunale të Luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen.
Para disa viteve përjashtuan edhe ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga vendimmarja komunale.
Nesër përfshihen në vendimmarjen komunale të Preshevës.