Nuk i zgjati shumë, pak kohë pasi Ahmeti u emërua në krye të Inspekcionit, sot Bulliqi ia “jep vizën”!

Pas emërimit të Ahmet Ahmetit në krye të Drejtorisës së Inspekcionit në Komunën e Podujevës, ka pasur pakënaqësi të shumta. Indeksonline për këtë rast kishte raportuar ekskluzivisht.
Ahmeti që këtë pozitë e mbante prej disa javësh, nga sot më nuk e mban. Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia.
Vendimin për emërimin në këtë pozitë ishte marrë nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Po sot Bulliqi e liroi nga ajo pozitë.
“Ahmeti e ka pozitën e koordinatorit të zyrës për të drejtat e njeriut edhe para disa jave është emeru edhe si ud i shefit të inspeksionit për një periudhë të caktuar kohore, por sot është liruar nga kjo detyrë dhe është kthyer në pozitën që e ka kryer punën deri para pak kohësh“, u shpreh Zhitia.
Kujtojmë që emërimi i Ahmetit si ushtrues detyre i shefit të Inspekcionit në komunë u përcoll me reagime nga më të ndryshmet edhe nga vetë Vetëvendosja në Podujevë.
Pasi Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje dikur i kishte bërë kallëzim penal që nuk ka zbatuar ligjin për shërbimin Civil dhe rregulloren për procedura disiplinore me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 9.580 euro./Indeksonline/