Kosova e zhvillon sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Qipro

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon të përgatitet për sfidat që e presin në muajin që po hyjmë.
“Dardanët” do të stërvisin edhe sot nga ora 10:30 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa nesër paradite do ta marrin rrugën drejt Qipros, ku do ta nisin kampanjën e re në Ligën e Kombeve.
Verdhekaltrit kanë ushtruar në ditët e fundit në kryeqytet, ndërsa janë duke i bërë përgatitjet e fundit para dueleve të qershorit, nën drejtimin e trajnerit Alain Giresse.
Ata janë shprehur optimistë para sfidave që i presin, ku synojnë të kenë paraqitje pozitive dhe të nxjerrin rezultate të favorshme.
Pra, kjo e sotmja do të jetë stërvitja e fundit për Kosovën në Prishtinë para duelit të 2 qershorit me Qipron.
Më pas, Vedat Muriqi me shokë do t’i zhvillojnë dy ndeshje në shtëpi: me Greqinë më 5 dhe me Irlandën e Veriut më 9 qershor.
E maratonën e muajit qershor në Ligën e Kombeve do ta mbyllin me duelin ndaj Greqisë në udhëtim më 12 qershor.