75 Mall Live Search
18:30 / E Martë, 31 Maj 2022 / OSH

Raphinha ka prioritet Barcelonën ndërkaq kjo e fundit nuk mund ta transferojë, ja arsyeja

Para se të mbyllej sezoni i rregullt, spekulime të shumta janë përhapur për interesimin e Barcelonës në yllin e Leeds United, Raphinha.

Po ashtu, thuhej se në rast se Leeds do të binte nga Premier Liga, klauzola e lirimit të yllit brazilian do të ishte afro 25 milionë euro, por që me sigurimin e një sezoni tjetër në elitën angleze, çdo gjë ka ndryshuar sa i përket çmimit të Raphinas.

Siç raportohet nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, prioriteti i Raphinas që nga muaji shkurt ka qenë që t’i bashkohet këtë verë Barcelonës.

Por, krerët e “Blaugranëve” nuk janë as afër që të arrijnë marrëveshje me klubin anglez, e gjitha kjo si pasojë e shumës së lartë që po e kërkon skuadra e Leeds, përcjell KosovaPress.

Leeds nuk e ka ndërmend që të pranojë më pak se 55 milionë euro për shërbimet e Raphinas, e po ashtu nuk do të pranojë që kjo shumë të paguhet ndër vite.

Mbetet të shihet tani edhe vendimi i Barcelonës, pasi që spekulohet se në garën për të siguruar shërbimet e yllit brazilian kanë hyrë edhe disa skuadra të tjera.