Sistemi i arsimit në Kosovë, Kurti e Nagavci aprovojnë krijimin e dy Task Forcave

Është aprovuar krijimi i Task Forcës “Qeverisje funksionale e sistemit të AAP-së” dhe Task Forcës “ Inicimi dhe implementimi i arsimit dual” në takimin e dytë të Komisionit ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional kundrejt nevojave të tregut të punës në Republikën e Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me këtë rast ka thënë se, propozimi për dy task forcat ka dalë nga takimi i parë i Komisionit dhe më pas është marrë vendim për krjimin e tyre. Kurti vlerësoi se zbatimi sistemit dual, përkatësisht Marrëveshja me Besa Foundation ndihmon MAShTI-n në ngritjen e kapaciteteve të instruktorëve në kompanitë të cilat do të ofrojnë mundësi të mësimit praktik për nxënësit.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se, Arsimi dhe Aftësimi Profesional luan rol vendimtar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një shteti, ndërsa qëllimi i krijimit të këtij Komisioni është që të kemi një bashkërenditje sa më të mirë ndërinstitucionale, e cila do të mundësojë funksionim sa më efektiv dhe efikas të sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional.
Ministrja Nagavci theksoi se, dy nga problemet që e përcjellin sistemin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional janë: qeverisja e Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe inicimi i zbatimit të arsimit dual.
Ndër të tjera, Nagavci foli edhe për krijimin e dy task forcave që do të mirren me elaborimin e këtyre problemeve dhe do të dalin me propozime konkrete që do t’i drejtohen Komisionit ekzekutiv të AAP-së.
Arsimi dhe Aftësimi Profesional, tha Nagavci, nuk mund të funksionojë pa komunikim dhe koordinim të bartësve kryesor, andaj jemi përkujdesur që në të dy task forcat të kemi përfaqësim nga të gjitha palët e interesit, në mënyrë që propozimet e ofruara të bazohen në konsensusin e palëve të interesit.

Ilir Seferi- nënkryetar i Besa Foundation prezantoi raportin lidhur me inicimin e arsimit dual.
Ndryshe, një nga hapat e ndërmarrë nga MAShTI lidhur me përmirësimin e AAP-së është edhe angazhimi i dy ekspertëve vendorë dhe një ndërkombëtarë, me mbështetje nga GIZ për zhvillimin e propozimeve për qeverisje më efikase të sistemit të AAP-së. Në kuadër të këtij studimi do të shqyrtohet mundësia e fuqizimit të Agjencisë së AAP-së si dhe rishikimi i rolit të institucioneve tjera përgjegjëse.