Mungesë të kartelave për stafin e QKUK-së, ja ku gaboi klinika
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka javë që ka nisur të funksionojë hyrja dhe dalja duke shfrytëzuar formën elektronike me kartela.
Ndonëse ishte paraparë që i gjithë stafi i QKUK-së të pajisej me të tilla, kjo nuk ka ndodhur dhe një pjesë e punëtorëve janë në mungesë të kartelave.
Lidhur me këtë, Faton Hajzeraj, menaxheri i kontratës dhe zyrtari i IT-së në QKUK ka sqaruar për “Indeksonline” arsyen pse ka ardhur deri te kjo pikë.
Sipas tij, QKUK nuk ka llogaritur para se të bëhej kontrata për kartela, që në oborrin e saj operojnë edhe disa institucione tjera.
“Në kontratën që ka qenë me Operatorin Ekonomik kanë pasë me u afru 3 mijë e 600 kartela. Por duke marrë parasysh se brenda Qendrës Klinike është Stomatologjia, Instituti, Mjekësia Ligjore, krejt këto institucione janë përreth e që ne nuk i kemi menduar këto më herët dhe ata hynë përmes hyrjes tonë, andaj është dashur që t`u jepen edhe atyre”, ka thënë ai.
Hajzeraj ka bërë me dije se stafi që i mungon kartela është një numër i vogël, sepse sipas tij, përqindja më e madhe tashmë janë pajisur me të tilla.
Ai ka shtuar gjatë javës së ardhshme pritet që edhe këtij numri t`i jepen kartelat.
“Por, nuk janë shumë meqë gati 80-90 përqind është mbulu dhe është një përqindje e vogël që janë pa kartela dhe ma merr mendja që javën tjetër do të përfundohet kjo. Javën tjetër se është dashur të nisë një procedurë prokurimi që me e marrë edhe diferencën e këtyre kartelave”, është shprehur ai.
Tutje, Hajzeraj ka thënë se punëtorët e QKUK-së që nuk i kanë ende kartelat, nuk kanë nevojë të paguajnë meqë mjafton që ata të tregojnë ID-në e QKUK-së.
Kujtojmë se nga pagesa për të hyrë në QKUK janë liruar pacientët dhe shoqëruesit e tyre që janë në dializë, pacientët e Onkologjisë, personat zyrtarë me vetura zyrtare, invalidët dhe veteranët e UÇK-së./Indeksonline/