Shala i PDK-së: Kush po frikësohet nga funksionimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore?

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Shala, ka thënë se Komisionit të Ndihmës Shtetërore i ka përfunduar afati i mandatit që nga muaji mars dhe që nga ajo kohë është jofunksional.
Sipas tij, operimi i këtij Komisioni është me rëndësi të lartë shtetërore, që nga nevojat ekonomike, deri tek ato vendimmarrëse.
Megjithatë, sipas tij, funksionalizimi i KNSh-së po e “frikëson” Qeverinë.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH), është organi i pavarur vendimmarrës për ndihmë shtetërore, i përbërë nga pesë (5) anëtarë, ekspert të pavarur në fushën e ndihmës shtetërore.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) nuk ka bord dhe është jo funksional, sepse i ka përfunduar mandati me datë 07 Mars 2022.
Në kohën kur institucionet shtetërore-qeveritare, kanë ndarë dhe po ndajnë pako të tëra të ndihmës shtetërore, për kategoritë të ndryshme sociale, ekonomike, biznesore, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme;
Në kohën kur po subvencionohet sektori i energjisë, dhe Qeveria po jep kredi ndërmarrjeve publike (rast i veqantë KOSTT);
Në kohën kur pako sociale 100 milionëshe shpërndahet, Komisioni i Ndihmës Shtetërore është inekzistent dhe jo funksional, sepse të tillë e dëshiron mazhoranca.
Do të duhej që pakot mbështetëse të Qeverisë dhe lëvizja e parasë në emër të ndihmës, të kishte interpretimin dhe analizën e ndihmës shtetërore (siç e parasheh Ligji nr.05/L-100).
Kujt i duhet ky anashkalim ligjor, apo kush frikësohet nga funksionalizimi i ndihmës shtetërore?
Pse me datën 31 Mars 2022, nuk u votua në Parlamentin e Kosovës, bordi i ndihmës shtetërore, që ishte përzgjedhur edhe me ndihmën e këshilldhënësve të Ambasadës Angleze!?