Bajqinovci deputetit të PDK-së: Si e mbrojte UÇK-në kur ke qenë drejtor nga PDK-ja?

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar deputetin e Partisë Demokratike, Rashit Qalajn dhe deklaratën e tij për mbrojtje të luftës së UÇK-së.
“Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, në foltore të Kuvendit tash si deputet i PDK-së po kërkon që sot të mbrohet lufta, çlirimi, UÇK-ja. Të mbrohet nga kush? Të mbrohet si? A na tregon se si e ka mbrojtë sa ka qenë drejtor nga radhët e PDK-së?” shkruajti Bajqinovci në Facebook.
Teksa në ambientet e Kuvendit të Kosovës mbahej seancë plenare, në oborrin e Kuvendit, OVL UÇK protestoi nga ora nëntë e gjysmë, duke kundërshtuar heqjen e kësaj kategorie nga lista e pagave.
Për shkak të tensionimit në protestë, seanca u ndërpre disa herë, për t’u shtyer plotësisht për javën e ardhshme./Indeksonline/