Aksioni anti drogë i Policisë së Kosovës, emrat e të arrestuarve/ Shtëpinë e kishin shndërruar në laborator!

Tre persona kanë përfunduar në pranga pas një aksioni kundër drogës të realizuar nga Policia e Kosovës në fshatin Ivajë të komunës së Kaçanikut. Të njëjtit u kapën brenda një shtëpie, ku u gjetën dhe konfiskuan mbi 5 kilogramë marihuanë.
Sinjali mëson, nga burimet brenda Prokurorisë se personat e arrestuar janë vëllezërit Trim dhe Vullnet Buzhala 27 dhe 24-vjeçar, si dhe Naser Buzhala 49-vjeçar.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të kryhen bastisje edhe në dy banesa, prona të të arrestuarve, ku në banesën e Naser Buzhalës, është gjetur një pistoletë dhe disa vazo si në shtëpinë të cilën e kishin shndërruar në laborator drogë, ndërsa në banesën e dy vëllezërve nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.