75 Mall Live Search
14:55 / E Enjte, 14 Korrik 2022 / B O

Ditë të zezë për Qeverinë Kurti, kriza e rëndë ekonomike, Sindikatat gati për greva, protesta dhe veprime të tjera!

Kriza e rëndë që ka kapluar Kosovën ka bërë që Sindikatat të reflektojnë njëzëri. Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme ku janë pajtuar për veprime konkrete në të gjitha fushat ndaj krizës ekonomike në vend, duke akuzuar Qeverinë për situatën e krijuar.

BSPK ka vendosur që nga sot të hartoj planin për veprime sindikale me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekonomike në vend.

“Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale dhe të zhvillimeve të fundit që kanë ndikuar fuqishëm në përkeqësimin e gjendjes ekonomike e sociale të të punësuarve në Republikën e Kosovës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës informon qytetarët e Republikës së Kosovës se për shkak të ngecjes së madhe të dialogut social që edhe pas shumë e shumë shkresave dhe kërkesave që ju drejtuan Partnerit Social – Qeverisë kohëve të fundit nuk pati rezultate drejt përmirësimit të gjendjes së të punësuarve dhe nisjes së dialogut të mirëfilltë social, nuk i mbetet rrugë tjetër veç se të nisë përgatitjen e veprimeve sindikale.
Mos nisja e dialogut social nga Partneri Social – Qeveria ngushtoi rrugën e bashkëpunimit dhe të komunikimit duke i lënë anash përfaqësuesit e të punësuarve e duke e shtyrë Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës të nisë përgatitjen e të gjitha veprimeve sindikale për ta sjellë Partnerin Social – Qeverinë në tavolinën e bisedimeve ku do të diskutohej zgjidhja përfundimtare e kërkesave të arsyeshme të të punësuarve të cilat do të qonin drejt heqjes së kësaj gjendje të tejet të vështirësuar.
Prandaj, Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshëm vendosi që të gjitha Federatat dhe Shoqatat sindikale anëtare të BSPK-së nga sot t’i hynë përgatitjeve të veprimeve sindikale me qëllim të mbrojtjes së të drejtave që qojnë drejt përmirësimit të gjendjes ekonomike e sociale të të punësuarve, pasi që në të gjithë sektorët, në atë të arsimit, të shëndetësisë, të policisë, të administratës e edhe në sektorët e tjerë gjendja veç sa e po vështirësohet dhe pa një dialog të mirëfilltë social nuk mund të dilet nga kjo situatë e ku roli i partnerit Social – Qeverisë është tejet i rëndësishëm.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është në pritje dhe në veprim të vazhdueshëm sindikal dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta që të punësuarit të kenë atë që u takon nga puna që bëjnë në shoqërinë tonë duke pasur një jetë të mirëqenë” thuhet në njoftimin e BSPK-së./Indeksonline/