Hapet edicioni i 14-të i Manifestas

Në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është bërë hapja solemne e edicionit të katërmbëdhjetë të Bienales Nomade Evropiane, Manifesta.
Të pranishëm në këtë hapje ishin organizatorët ndërkombëtarë të Manifestas, presidentja Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Prishtinës Perparim Rama, organizatorët e Manifestas në Prishtinë, dhjetëra artistë pjesëmarrës të këtij edicioni, qindra qytetarë vendas dhe të huaj, raporton Indeksonline.
“Imazhi i sontëm, është imazhi që i rri më së miri Prishtinës. Prishtina është më e mira kur i mirëpret njerëzit nga e gjithë bota. Atëherë kemi mundësinë e artë për të treguar shpirtin e ri të kryeqytetit, dhe sa jemi të hapur ndaj kulturave dhe kombeve nga e gjithë bota” ka thënë presidentja Osmani.
Në anën tjetër, kryetari Përparim Rama ka ndarë kohë për të falendëruar organizatorët e Manifestas dhe ata që mundësuan që Manifesta të vijë në Prishtinë sivjet.
“Automatikisht ne tash e kemi Prishtinën në kulmet e mediave botërore të artit dhe kulturës si një vend nikoqir i Manifestas, e cila prëveç se ka pruar artistë të ndryshëm botëror këtu, ka krijuar një platformë fantastike për artistët tonë të vendit” ka thënë Rama.
Organizatorët kanë përshëndetur Prishtinën si një vend shumë mikpritës, teksa kanë bërë thirrje për liberalizim të vizave për Kosovën dhe për rreshtim kundër agresionit rus në Ukrainë.
Manifesta do të mbulojë Prishtinën me artin e saj për 100 ditë me radhë./Indeksonline/