Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, flet para ndeshjes me Dukagjinin

Këtë fundjavë zhvillohet xhiro e dytë e Albi Mall Superligës së Kosovës.
Ditën e shtune në program janë dy ndeshje interesante, Drita do të përballët me Dukagjinin ndërsa Llapi luan kundër Trepçës ’89, shkruan IndeksOnline.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka folur në konferencë për media para ndeshjes me Dukagjinin.
Ai ka theksuar se do të përballen me një kundërshtar pa përshtatshëm por skuadra e Dritës është përgatitur për ta fituar këtë ndeshje.
“Kishin kohën e mjaftueshme për ta analizuar kundërshtarin, në vecanti mënyrën se si ata sulmojnë në vijën e parë të sulmit. Gjithashtu, jemi munduar të gjejmë pikat e tyre të dobëta e të gjejmë hapësirat për t’i shfrytëzuar. Kemi përgatitur ndeshjen për ta fituar dhe të mundohemi që planin tonë të përgatitur ta zbatojmë në mënyrën më perfekte nesër. Kemi analizuar në detajet më të vogla, jemi përgatitur edhe për kujdes por të shfrytëzojmë edhe armët tona për të marr maksimumin. Të jemi vetëvetja dhe të kthehemi te fitorja”, ka thënë Nuhiu.
“Nuk ka kundërshtar të lehtë, sepse nga viti në vit po e shohim kampionatin duke u rritur dhe këtë e dëshmojnë rezultatet e skuadrave tona në Evropë. Nuk ka skuadër të dobët, duhet qasje maksimale ndaj cdo kundërshtari nëse do të bësh më të mirën”, ka përfunduar Nuhiu.
Ndeshjet Drita-Dukagjini dhe Llapi-Trepça ’89, do të fillojnë në ora 17:00./IndeksOnline/